Guximi (kurajo) është vullneti për të vazhduar a) kur mbaron shpresa; b) kur fillon frika. Meqenëse jetojmë nën hegjemoninë totale të individualizmit, të shfaqur herë si hedonizëm, herë si utilitarizëm banal, guximi i vërtetë sot nuk është të bësh diçka (qoftë dhe me rrezik të lartë) për sukses vetjak, por është: a) akt i veprimit për hir të një veteje të mohuar, asaj publike; b) akt vetëmohues për tjetrin, altruizëm. T’i qëndrosh besnik një rruge ideore nënkupton ndërthurje guximi e taktike dhe të dyja nënkuptojnë kreativitet. Nga njëra anë duhet guxim që të mos e braktisësh idenë për hir të vetes, nga ana tjetër duhet taktikë për të mos e braktisur idenë për hir të idesë. Ai që braktis idenë për hir të vetes korruptohet dhe si përfundim homogjenizohet, bëhet i njëjtë me “të ndryshmit” e tjerë. Ai që e braktis idenë për hir të idesë idhujtarizon dlirësinë, bëhet si murg a murgeshë e papërlyer, që idenë e adhuron si të botës tjetër, por nuk e mishëron e nuk e jetëson në këtë botë.
All
Talks
Individuals
Chapters